Monday, December 23, 2024
HomeUncategorizedQeveria pezullon rivlerësimin e pronave

Qeveria pezullon rivlerësimin e pronave

Ministri i Financave Petrit Malaj ka pezulluar në qeveri miratimin e ligjit për rivlerësimin e pronave. Edhe pse drafti për të ulur tatim fitimin kapital në rastin e shitblerjes së pronave kishte marrë publikisht aprovimin e kryeministrit Edi Rama, kreu i financave e ka bllokuar atë me justifikimin se projektligji mori shumë kohë dhe tashmë duhet të lidhet me çmimet e referencave në të gjithë Shqipërinë.

Kapitali ka mësuar se falë instistimit të Malajt, qeveria ka vendosur që miratimi i ligjit të shtyhet për në janar të vitit të ardhshëm. Por në fakt edhe ky afat duket i paarritshëm, pasi në janar hyjnë në fuqi kufizimet e Kodit Zgjedhor, çka me shumë gjasa e shtyn miratimin e mundshëm të ligjit pas zgjedhjeve të vitit 2025.

 

Propozimi

Drafti për të ulur tatimin mbi fitimet kapitale përmes rivlerësimit të pronave u propozua nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti në maj të këtij viti. Drafti i Gjylametit propozonte që biznesit dhe qytetarëve t’u jepej një tjetër mundësi të rivlerësonin pronat e tyre kundrejt një tatimi prej 3 për qind nga 15 për qind që është norma statutore e taksës.

Për disa muaj të tërë maxhoranca dhe qeveria heshtën duke mos e bërë publik qëndrimin e tyre në lidhje me këtë propozim. Vetëm në mesin e Korrikut kryeministri Edi Rama a aprovoi nismën publikisht, por duke saktësuar se taksa e rivlerësimit do të jetë 5 për qind, jo 3 për qind sa kishte propozuar Blerina Gjylameti. “Do të konkludojmë besoj brenda 45 ditëve të ardhshme këtë. Do të ndërtojmë një proces që rivlerësimi të jetë i hapur 1 vit, fund shtatori me fund shtatori dhe ndërkohë duhet të jetë e qartë dhe diçka tjetër, rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i dyti me 3% i treti dhe i fundit me 5%,” deklaroi Rama në 17 korrik.

Por fundi i shtatorit kaloi dhe drafti nuk u miratua. Deri në mbledhjen e fundit të pak ditëve më parë, kur qeveria e pezulloi atë përfundimisht me idenë për ta shtyrë në vitin tjetër.

Rritje referencash në të gjithë Shqipërinë

Arsyeja se pse ministria e Financave e bllokoi miratimin e ligjit për rivlerësimin e pronave lidhet me një plan që qeveria ka për të rritur çmimet e referencave në të gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht në zonat bregdetare të vendit.

Sipas ministrisë së Financave, nëse drafti do të miratohej dhe taksa e zbutur do të hynte në fuqi tani, ata që zotërojnë prona në bregdet apo pjesë të tjera të vendit nuk do të kishin mundësi të rivlerësonin çmimet e rritura të referencës. Ndaj sipas ministrit të Financave, taksa e rivlerësimit do të miratohet pas rritjes së çmimeve të referencës në të gjithë territorin e vendit.

Ministria e Financave po punon për hartën e re të çmimeve të referfencës, e cila do të sjellë rritje të ndjeshme të referencave në të gjithë territorin, por veçanërisht në zonat bregdetare. Kjo do të thotë se familjet shqiptare duhet të përgatiten që të paguajnë më shumë taksa për pronat e tyre, pasi po vjen dallga e re e rritjes së referencave, të cilat shërbejnë se baza për llogaritjen e taksës së pronës që paguajnë familjet dhe bizneset.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments