Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se gjatë kësaj jave, pas një pune intensive operative nga stacionet policore në kuadër të saj, janë sekuestruar disa armë dhe sasi municioni në rajonin e Pejës.
Sipas njoftimit zyrtar, në periudhën 23 shkurt – 1 mars 2026, policia ka gjetur dhe sekuestruar: dy pushkë, një pushkë “dhjetëshe” me 9 fishekë të kalibrit 7×62 mm, një pushkë gjuetie me 18 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, një revole TT, një pistoletë Zoraki 917-T, një karikator, një fishek 9×19 mm dhe një thikë.
Lidhur me rastet, personat e dyshuar janë intervistuar nga organet e rendit, ndërsa janë iniciuar raste penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të paligjshëm të armëve dhe ka bërë thirrje që qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet për të garantuar sigurinë publike.

