Kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç kanë ndërmarrë një iniciativë të përbashkët që ka të bëjë zgjerimin e Bashkimit Evropian. Planet mes liderëve të dy vendeve në rajon janë zbuluar nga gazetari gjerman Michael Martens, përmes një postimi në rrjetin social X.
Martens thekson se kjo lëvizje pritet të tërheqë vëmendje të madhe në arenën ndërkombëtare, megjithatë nuk pritet të marrë konsensus të plotë, pasi mund të përballen me kundërshti. Ai paralajmëroi se detaje të mëtejshme në lidhje me këtë iniciativë do t’i publikojë së shpejti në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).
“Së shpejti: Një iniciativë e përbashkët nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mbi zgjerimin e BE-së. Ky veprim ka të ngjarë të tërheqë mjaft vëmendje, edhe pse shumë nuk do të jenë dakord. Më shumë së shpejti në Frankfurter Allgemeine Zeitung/FAZ.”, ka shkruar gazetari në rrjetin social X.

Kryeministri Edi Rama ka mbështetur më herët idenë e anëtarësimit pa të drejtën e vetos, megjithatë nuk dihet nëse iniciativa për të cilën flet gazetari gjerman ka të bëjë pikërisht me këtë.
Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt me BE, ndërsa tashmë përballet me sfidën e mbylljes së tyre. Qeveria ka shprehur si pikësynim integrimin e vendit në union deri në 2030.
Serbia, nga ana tjetër, është përballur me kritika kohët e fundit për shkak të ndryshimeve në ligjet e drejtësisë. Komisioni Evropian ka vlerësuar se Serbia ka bërë një hap pas në procesin e integrimit, pasi këto ligje, sipas Brukselit, rrezikojnë pavarësinë e gjyqësorit.

