Sipas Drejtorisë së Transporteve, pjesën dërrmuese të testimeve e zënë automjetet e kategorisë 4+1 dhe 8+1 vende, të cilat rezultojnë edhe mjetet më të përdorura nga qytetarët. Konkretisht, janë kontrolluar 112 mijë automjete të kësaj kategorie, që përfaqësojnë 89% të totalit të mjeteve të testuara gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, kontrolleve teknike iu nënshtruan edhe 69000 kamionë, ose 5% e totalit, si dhe 5500 motomjete, që përbëjnë 4.3% të totalit të mjeteve të kontrolluara.
Nga ana tjetër, 2540 mjete me moshë mesatare 22-vjeçare janë çregjistruar përfundimisht dhe ky numër është 35% më i madh se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Arsyeja e çregjistrimit të mjeteve të vjetra janë standarde të sigurisë të paplota, mungesë kushtesh teknike, amortizim dhe konsum i lartë, thekson DPSHTRR, ndërsa ky proces rrit sigurinë rrugore dhe kufizon qarkullimin e mjeteve që paraqesin rrezik.
Kontrolli teknik kryhet një herë në dy vite dhe mbetet një nga hallkat kryesore për garantimin e sigurisë në qarkullim, uljen e riskut të aksidenteve dhe respektimin e standardeve teknike e mjedisore nga drejtuesit e mjeteve.

