Mirdita është tronditur mëngjesin e sotëm nga një tjetër ngjarje e rëndë kriminale. Viktor Bardhi ka mbetur i vrarë me armë zjarri në fshatin Ndërfushas, ndërsa rrethanat e ngjarjes dhe autorët ende nuk dihen.
Sipas raportimeve, Viktor Bardhi është vëllai i Martin Bardhit, i cili u vra në një atentat të bujshëm në Rrëshen në shtator të vitit 2023. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave, ndërsa janë ngritur kontrolle dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Vrasja e sotme rikthen në vëmendje historikun e përplasjeve të përgjakshme që kanë tronditur prej vitesh Mirditën, ndërsa hetuesit pritet të verifikojnë edhe nëse ekziston ndonjë lidhje mes ngjarjes së sotme dhe atentatit ndaj Martin Bardhit.

Si u vra Martin Bardhi në 2023
Martin Bardhi, i njohur edhe si Marjan Marku, u ekzekutua mëngjesin e 26 shtatorit 2023 në Rrëshen. Ai sapo ishte liruar nga qelia, ku kishte qëndruar prej disa muajsh pas një tentative të dështuar sulmi me armë në qytet. Pak kohë pas lirimit, Bardhi u ul në lokalin e tij, pranë Komisariatit të Policisë Mirditë. Por qëndrimi në ambientin që e konsideronte të sigurt rezultoi fatal për të. Një automjet tip “Jeep Grand Cherokee”, që dyshohet se u përdor nga autorët, u pa disa herë pranë lokalit të viktimës përpara atentatit. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, mjeti kaloi pranë zonës në oraret 09:36, 10:18, 10:24 dhe 10:39, ndërsa në momentin e fundit u krye sulmi.
Autorët hapën zjarr në drejtim të tavolinës ku ndodhej Martin Bardhi, duke e lënë atë të vdekur në vend. Nga breshëria e plumbave mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë që ndodheshin me të. Në vendngjarje u gjetën dhjetëra gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, ndërsa hetuesit konstatuan edhe dëmtime të shumta të shkaktuara nga predhat e armës së zjarrit.

