Një kabinë elektrike ka shpërthyer në katin zero të një pallati në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë, duke shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë për banorët.
Denoncimi ka ardhur nga një banor i zonës, i cili ngre shqetësimin për situatën e krijuar pas shpërthimit. Sipas tij, banorët kanë mbetur pa drita dhe, si pasojë e ndërprerjes së energjisë, edhe pa ujë.
Ngjarja është bërë edhe më shqetësuese për shkak të kushteve të sigurisë në godinë. Banori pretendon se pallati nuk është i kolauduar dhe se apartamentet nuk kanë hipotekë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është lejuar banimi në këtë objekt dhe nëse godina plotëson kushtet e nevojshme të sigurisë.

Në momentin e mbërritjes së shërbimit zjarrfikës, sipas denoncimit, është konstatuar gjithashtu mungesa e shkallëve të emergjencës. Kjo situatë e ka vështirësuar evakuimin e banorëve në rast se do të ishte e nevojshme të braktisnin godinën për shkak të rrezikut.
Shpërthimi në kabinën elektrike ka shkaktuar panik te banorët, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar shkaku i incidentit dhe nëse kabina ka qenë në kushtet e duhura teknike dhe të sigurisë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, por edhe një verifikim të plotë të kushteve të sigurisë së pallatit dhe statusit të tij ligjor.
Përtej incidentit të fundit, banorët kërkojnë përgjigje nga institucionet përgjegjëse dhe nga firma ndertuese.
Më poshtë do të gjeni dhe vidion e dërguar nga banorët

